Atletiko fiton, por 3 javët që vijnë janë vendimtare për titullin!

Nuk ishin sërish Luis Suarez dhe Zhoao Feliks, por suksesi u arrit. Ndaj Hueskës, edhe pse u luajt në Madrid, doli e vështirë, por Atletiko ishte në lartësinë e duhur këtë herë. Përballoi presionin dhe fitoi 2-0 me golat e shënuar nga Korrea e Karrasko, ndërsa asistet ishin që të dy të Markos Jorentes. Trajneri Simeone ishte i kënaqur, ndërsa u pyet sesi ndihet për titullin.

“Ju e dini se çfarë mendoj unë, – tha ai, – pesë javët e fundit do ta vendosin, ndërsa lufta për titull është mes 4 ekipeve. Reali është përgjigjur mirë, Barcelona po luan shkëlqyeshëm, ndërsa Sevilja po bën një sezon të madh. Ne mendojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe kjo nuk do të ndryshojë. Ishte e vështirë, por jam i kënaqur. Le të kënaqemi pak dhe të mendojmë pastaj për ndeshjen në Bilbao që do të jetë shumë e vështirë”. Atletiko ka 73 pikë ndaj 70 të Realit e 68 të Barcelonës.

Sfidanti.al