Atletiko fiton dhe Simeone flet për Suarezin, Zhoao Feliksin dhe … Kadizin!

Pas ndeshjes që përfundoi 3-1 ndaj Valencias, një gazetar e ngacmoi trajnerin argjentinas, duke e pyetur se çfarë ju thotë fakti që jeni në vend të parë? Përgjigja me një fjalë e Diego Pablo Simeones ishte: Kadiz! Ndeshja e ardhshme e Atletikos është pikërisht ndaj Kadizit dhe Simeone nuk dëshiron të shpërqëndrohet për objektiva që arrihen në maj apo qershor. Suksesi nuk ishte shumë i lehtë, pasi Urosh Raçiç kaloi miqtë në epërsi, dhe u desh Zhoao Feliks (23’), Luis Suarez (54’) dhe Anhel Korrea (72’) për të siguruar fitoren.

Luis Suarez po luan vazhdimisht, dhe është shënuesi më i mirë i La Ligës për momentin, por a është i shqetësuar Simeone që uruguajani nuk po pushon? “Luisi është shumë mirë, po stërvitet siç duhet dhe nuk shoh të ketë ndonjë problem, – tha trajneri, – këtë herë Suarezi bëri ndeshje të madhe. Në ndeshjet e kaluara e kam zvvendësuar disa herë”. Zhoao Feliks ndërkaq u zëvendësua ndonëse shënoi një gol dhe shërbeu një asist. Çfarë duhet të bëjë ai që të mos zëvendësohet, ishte pyetja. “Nuk është e thënë që një lojtar të luajë patjetër 90 minuta, – theksoi Simeone, – unë kam 5 zëvendësime dhe jemi që të gjithë të përfshirë për të arritur suksesin. Jemi të zot dhe konkurrenca na bën mirë”. Atletiko ka 47 pikë ndaj 40 të Realit e 37 të Barcelonës, ndërsa ka ende një ndeshje për të luajtur.

Sfidanti.al