Trajneri italian zakonisht është i qetë, si një “babaxhan”, dhe madje edhe goditjet më të rënda i pret me flegmatizmin e tij të njohur. Gjithsesi, nervat ndojnëherë edhe e lëshojnë siç i ndodhi pas ndeshjes së Kupës së Mbretit në Spanjë, ku Reali i tij u eleminua në fushën e Bilbaos. Një gazetar siç duket këmbënguli shumë për faktin që Garet Bejl dhe Eden Hazar nuk luajtën, madje belgu u ngrit në nxemje e pastaj u ul në stol. “Pse po flisni vazhdimisht për Bejlin, Joviçin dhe Hazarin, – thirri Ançeloti, në një video të botuar nga e përditshmja “AS”, – pse nuk flisni për Sebajosin, Karvahalin. As ata nuk luajtën, mos vallë unë i ndëshkova edhe ata?” Pyetja kishte qenë se mos trajneri madrilen i la në stol Bejlin dhe Hazarin në formë ndëshkimi. Bejli u pa duke qeshur, kur Hazari u kthye në stol pasi bëri nxemjen. Uellsiani nuk ka luajtur që nga gushti, ndërsa belgu ka qenë në 18 ndeshje, por shpesh nga stoli.
Sfidanti.al