Edicioni i kaluar ishte nga ata për t’u harruar, por ndonjëherë e keqja nuk të ndahet. Realit i ka hyrë frika (ose të paktën, kështu e imagjinon gazeta “Marka”) se mos ndodh sërish ajo që ndodhi vjet, në një javë të vetme. U quajt “java tragjike”, që përcaktoi fatin e trajnerit Santiago Solari, dhe po ashtu fatin e madrilenëve, që u eleminuan nga Kupa e Mbretit, mund 0-3 në “Bernabeu” nga Barcelona, dolën përfundimisht jashtë garës për titull mundur po në “Bernabeu”, e po nga Barcelona, veçse 0-1, si dhe duke u eleminuar nga Championsi, pas humbjes 1-4 … në Madrid me Ajaksin.
Java tragjike këtë vit ka nisur më herët, pasi Reali u eleminua nga Kupa e Mbretit, mundur 4-3 nga Sociedadi dhe përsëri në … “Bernabeu”, ndërsa morën “mandatën” e parë në Champions nga Mançester Siti duke u mundur 1-2 në … “Bernabeu”. Këtë të diel, 1 mars ora 21:00, Reali pret Barcelonën në … “Bernabeu”, dhe lutet që mallkimi të mos vazhdojë. Nuk është se katalanasit po shkëlqejnë, por për momentin Reali duket më i goditur e më i tronditur, edhe pse shpesh ka luajtur futboll më të mirë. Për më tepër, Mesi në Madrid ka qenë gjithnjë si në shtëpinë e tij. Katalanasit kanë më shumë mungesa si Suarez, Dembele, Zhordi Alba, Sergi Roberto, ndërsa jashtë fushe kanë qenë dobët këtë sezon.
Sfidanti.al