LASK Linc, “hirushja” e Europës kërcënon Mançester Junajtidin!

Nëse do të vendosje në peshore vlerën e kartonëve të lojtarëve, krahu i Mançester Junajtidit do të peshonte nja 30 apo 40 herë më shumë sesa ai i rivalëve të tyre të ardhshëm në Ligën e Europës. LASK Linc, nënkampionia e Austrisë, është rivalja e radhës e “djajve të kuq”, dhe mediat britanike njoftojnë se vlera e skuadrës arrin në vetëm 33 milionë euro. Junajtid, ndërkaq, duhet të jetë dhjetëra herë më shumë me lojtarë si De Gea, Megajer, Rashford, Pogba, Bruno Fernandez apo Antoni Marsial.

Kjo skuadër kaq modeste nuk e pati aspak problem që të fitonte 5, të barazonte 2 e të humbiste vetëm 1 ndeshje këtë sezon në Ligën e Europës. Sportingu i Lisbonës u mund 3-0, PSV Ajndhoveni 4-1, Rozenborgu dy herë 1-0 e 2-1, si dhe AZ Alkmari e Holandës u eleminua me fitoren 2-0 e barazimin 1-1. Në Bundesligën austriake, LASK-u është në vend të parë, mbi të plotfuqishmin Salcburg. Klubi nga qyteti i Lincit është vetëm 1 herë kampion i Austrisë, në vitet 60-të, dhe po ashtu ka fituar vetëm 1 kupë, edhe atë në vitet 60-të. Trajneri francez Valerien Ismael shpreson që të arrijë një tjetër sukses të madh me skuadrën e tij modeste.

Sfidanti.al