La Liga, Sergio Ramos mund të denoncohet për kritikat ndaj arbitrit

Sergio Ramos nuk u përmbajt aspak në kritikat e tij ndaj arbitrit Hernandez Hernandez në përfundim të ndeshjes mes Realit të Madridit dhe Levantes. Kapiteni I Los Blancos u ankua që arbitri nuk akordoi penallti për prekje të topit me dorë dhe ngriti dyshime për sjelljen e tij në momentin që duhet të shihte epiosodin në monitor

‘Nuk habitem aspak me këtë arbitër-tha Sergio Ramos-arbitrat e mëparshëm ishin më të respektueshëm. Me ata mund të flisje, kurse me këtë jo. Kapitenët janë aty për të ndihmuar arbitrat. Arrogancën e ke ose nuk e ke. Është indinjuese. Në fund të ndeshjes e pyeta  nëse kishte ndonjë problem me mua. Më ktheu në realitet; në minutën e 10 arbitri të kushtëzon lojën me një karton të verdhë pasi pësova një shkelje dhe një goditje me brryl. Disa vendime janë të paramenduara’.

Është kjo një deklaratë që mund të shtyjë Federatën Spanjolle të denoncojë Ramos në Komisionin e Disiplinës me kapitenin që rrezikon të humbasë El Clasico. Shumë prej ish arbitrave e kërkuan që Federata të ndërmarrë një veprim të tillë, por në të njëjtën kohë ata shfaqën besimin se asgjë nuk do të ndodhë. Ata morën si shembull rastin e Busquets që nuk u denoncua për kritikat e tij ndaj arbitrit për një penallti që nuk iu akordua Barcelonës në ndeshjen me Real Sociedad

Duke parë këtë precedent, janë të shumtë që e bëjnë fakt të kryer se Sergio Ramos nuk do t’I ndodhë asgjë  dhe se deklaratat që vënë në dyshim objektivitetin e Hernandez Hernandez nuk do të ndëshkohen

Sfidanti.al