Vetëm shumë pak lojtarë të kombëtares kroate, që ishin në fushë mbrëmë kundër Francës, kanë lindur jashtë vendit të tyre dhe janë formuar po jashtë. Shumica dërrmuese kanë kaluar nga akademitë e Dinamos së Zagrebit apo Hajdukut të Splitit, por edhe të klubeve të tjera dhe kanë luajtur në Ligën e Parë të Kroacisë, që në mënyrë të merituar është e “licencuar” për futbollistë profesionistë, ndryshe nga Superliga e Shqipërisë që prodhon shumë pak dhe ka shumë pak vazhdimësi të ekipeve. Kjo është padyshim arsye shumë e fortë që kroatët, ndryshe nga ne, kanë lojë skuadre dhe jo vetëm yje.
Mbrojtësi Erliç i lindur në Zadar, u bë lojtar te, Dinamo e Zagrebit e Rijeka, përpara sesa të shkonte tek Parma dhe Specia në Itali. Josip Shutalo, i lindur në Bosnjë e Hercegovinë, është formuar tek Dinamo e Zagrebit ku vazhdon të luajë. Josip Juranoviç u bë lojtar tek Dubrava dhe Hajduku i Splitit për të shkuar në Poloni tek Legia e Varshavës e tani në Skoci tek Sëlltiku. Marcelo Brozoviç luajti në Kroaci për Hrvatski Dragovoljacin, Lokomotivën e Zagrebit dhe Dinamon e Zagrebit e pastaj tek Interi. Sa për Luka Modriçin, e dimë që u bë yll që kur ishte tek Dinamo e Zagrebit për të shkuar tek Totenhemi e pastaj tek Reali. Lovro Majer luajti për Dinamon dhe Lokomotivën e Zagrebit e tani është tek Rena në Francë. E njëjta histori pak a shumë për Ante Budimirin që tani është tek Osasuna në Spanjë. Andrej Kramariç ishte tek Dinamo e Zagrebit për 16 vjet, pastaj 2 vjet për Rijekën dhe tani është tek Hofenhajmi). Josip Brekalo ishte tek Dinamo e Zagrebit, por kaloi në Gjermani në moshën 17-vjeçare tek Volfsburgu e tani është tek Torino. Së fundmi, Nikola Vlashiç, vëllai i atletes së famshme kroate Bianka Vlashiç, u formua tek Hajduku i Splitit dhe prej 5 vitesh luan jashtë Kroacisë. Stanishiç, ndërkaq, është lojtar sipas “stilit tonë” sepse ka lindur dhe është formuar në Gjermani, e pastaj ka pranuar të luajë për kroatët. Edhe Kovaçiç lindi në Austri, por u formua si lojtar tek Dinamo e Zagrebit, tek “Universiteti i futbollit kroat”. Pashaliç është si Kovaçiçi, lindi në Gjermani, e sërish u bë lojtar tek Hajduku i Splitit.
Kroacia (4-3-3): Ivushiç (Osijek, 27 vjeç), Stanishiç (Bajern, 22), Erliç (Specia, 24), Shutalo (Dinamo Zagreb, 22), Juranoviç (Sëlltik, 26), Modriç (Real, 36), Brozoviç (Inter, 29), Kovaçiç (Çelsi, 28) (Suçiç 90’ Salcburg, 19), Pashaliç (Atalanta, 27) (Majer 65’ Renë, 24), Budimir (Osasuna, 30) (Kramariç 74’ Hofenhajm, 30), Brekalo (Torino, 23) (Vlashiç 73’ Uest Hem, 24).
Sfidanti.al