Kroacia ndeshjen e radhës e ka me Argjentinën në grupin e saj, ndërkohë që ajo është e ndërgjegjshme se çfarë ndeshjeje e vështirë e pret atë, duke qenë se përfaqësuesja argjentinase nuk ka të drejtë dështimi, kështu që opsion i saj është vetëm fitorja. Nga ana tjetër, Kroacia është disi e çliruar mbas fitores mbi Nigerinë, kështu që edhe të zgjedhurit e trajnerit Zllatko Daliç do të bëjnë gjithçka për të arritur një triumf të ri.
Kundër Nigerisë Kroacia luajti madje edhe me katër sulmues, por me siguri që këtë nuk do ta bëjë kundër Argjentinës. Në stërvitjen e fundit u pa se Daliçi do të mbështetet te një ekip që do të bëjë më shumë një lojë mbrojtëse, ndërkohë që thuhet se ai është në dilemë se cilin lojtar të fusë që nga minuta e parë, Manxhukiçin apo Kramariçin. Ky trajner, në fakt, nuk ka shumë alternativa në sulm, duke qenë se ai përzuri Nikolla Kaliniçin.
Sfidanti.al