Futbolli nuk mbetet imun nga kriza politike që ka shpërthyer në gjirin Persik ku disa shtete mes të cilëve edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin duke e akuzuar për mbështetje të terrorizmit. Kjo u duk edhe në faktin që FIFA zëvendësoi arbitrin e sfidës mes Tajlandës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e vlefshme për grupin B të zonës Aziatike të eliminatoreve të Botërorit 2018 në Rusi. Gjyqtari që do të vendoste drejtësi në këtë përballje ishte nga Katari, por Federata e Futbollit në Emiratet e Bashkuara Arabe bëri një kërkesë në FIFA për zëvendësimin e tij, që u pranua nga ky institucion. Në statutin e saj FIFA e thotë qartë që politika nuk duhet të ndërhyjë në futboll, por në këtë rast ajo vendosi të bëjë një përjashtim dhe këtë e shpjegoi edhe në komunikatën e saj. ‘vendimi u mor për arsye sportive duke parë edhe situatën gjeopolitike në atë rajon-lexohet në komunikatën e qeverisë së futbollit botëror. Përsa i përket sfidës Tajlandë-Emirate, ajo do të gjykohet nga një arbitër nga Singapori, i ndihmuar nga 2 asistentë nga Malajzia
sfidanti.al