Një tifoz i thekur i “topçinjve” e mori “kamzhikun” ende pa mbaruar sezoni dhe nisi të godiste fort. Pirs Morgan, gazetar i njohur britanik, deklaroi se Arsenali e hodhi veten në “koshin e mbeturinave” me humbjen ndaj Totenhemit në derbi, sidomos për shifrat 3-0, dhe se ata nuk kanë shpresë për të shkuar në Champions sezonin e ardhshëm. Kjo, pavarësisht se londinezët janë ende në vend të katërt, një pikë mbi ekipin e Antonio Kontes. Morgani kritikoi sidomos trajnerin Arteta për largimin e Obamejangut dhe blerjet e bëra, ndërsa “Deili Meil” pati një kolazh fotosh ku në qendër ishte Granit Xhaka, ish-kapiteni që herë është lavdëruar, por më shumë është kritikuar. Ish-mbrojtësi i Man. Junajtidit, Geri Nevil, në rolin e opinionistit gjithashtu mendon se Totenhemi do të shkojë në Champions, duke i quajtur Xhakën me shokë si “pesha të lehta” që shkatërrohen nga presioni.
Sfidanti.al