Puna për sezonin e ri ka nisur. Tek Mançester Junajtidi nis epoka e trajnerit Erik Ten Hag, por deri tani kësaj epoke nuk i është bashkuar Kristiano Ronaldo. Superylli portugez njoftohet se ka kërkuar leje nga klubi dhe nuk është paraqitur sot në stërvitje, siç ishte planifikuar, ndërsa lojtarët e tjerë u kthyen në kohë. CR7-ta kërkoi leje për arsye familjare. Spekullimet ishin menjëherë të shumta dhe të skajshme, të nxitura nga fakti se Kristiano i ka njoftuar drejtuesit se dëshiron të largohet këtë verë, gjithnjë nëse vjen ndonjë ofertë e mirë. Ronaldo ka kontratë në “Old Traford” edhe për një vit, ndonëse tani nuk dihet nëse do ta respektojë apo jo.
Besohet se legjenda nuk dëshiron të luajë në Ligën e Europës, ndërsa Mançester Junajtidi nuk u kualifikua dot në Champions, aty ku CR7 ka qenë gjithnjë i pranishëm që nga viti 2003. Gjithsesi, është e qartë se jo çdo klub në Europë mund ta përballojë një futbollist të tillë. Deri tani flitet për Bajernin dhe për Çelsin. Mediat informojnë se bavarezët për momentin janë të distancuar nga Ronaldo pasi morën Sadio Manenë, por mund të kenë interes nëse Levandovski shkon tek Barcelona. Çelsi, ndërkaq, është një mundësi e prekshme pasi trajneri Tomas Tuhel ka nevojë për sulmues që të shënojnë gola, edhe pse Kristiano është 37 vjeç, ndërsa paratë në “Stemford Brixh” nuk janë problem me pronarin e ri, miliarderin amerikan Tod Boehli.
Sfidanti.al