Kosova ka të ardhme me trajnerin slloven Primozh Gliha!

Mund të kemi besim te ky ekip. Kosova më në fund arriti të reagonte pas një serie negative dhe mori një barazim të merituar 1-1 në Athinë ndaj Greqisë në ndeshjen përmbyllëse të ciklit eleminator të Kupës së Botës. “Dardanët” ishin thuajse të barabartë me vendasit në stadiumin “Olimpik”, duke krijuar raste, me mundësi për të shënuar më shumë se një gol. Natyrisht, edhe Greqia pati mundësitë e saj dhe barazimi mund të cilësohet rezultat pozitiv. Goli për ekipin tjetër të shqiptarëve u shënua nga mbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani, me ndikimin e madh që pati aktivizimi në pjesën e dytë të Edon Zhegrovës. “Dardanët” patën në fushë disa nga lojtarët e njohur përfshi Rashicën, Shalën, Muriqin, Valon Berishën apo Vojvodën, por edhe disa më të rinj.

Kosova kishte humbur radhazi me Spanjën, Suedinë e Gjeorgjinë në eleminatoret e Botërorit, si dhe miqësoren me Jordaninë pak ditë më parë, në debutimin në stol të trajnerit Primozh Gliha. Tekniku slloven shpreson të arrijë të kthejë ekipin në shina, siç ishte në edicionet e kaluara në Europian dhe në Ligën e Kombeve me ish-trajnerin zviceran, Bernar Shaland. Edhe pse përfaqësuesja kosovare e mbylli grupin eleminator në vendin e fundit me vetëm 5 pikë, lënë pas edhe nga Gjeorgjia, sërish shpresat janë që edicionin e ardhshëm të Europianit paraqitja të jetë ndryshe.

Sfidanti.al