Për javë me radhë, shumë burime pranë Jurgen Klopp kanë pohuar se trajneri gjerman nuk ka asnjë interes për të marrë drejtimin e Real Madridit. Megjithatë, së fundmi kanë dalë në pah informacione kontradiktore që kanë rindezur spekulimet.
Sipas faqes angleze të futbollit The Touchline, e ndjekur nga mbi 1.5 milion përdorues në platformën “X”, mes Klopp dhe Real Madridit tashmë kanë nisur negociatat. I njëjti burim raporton se gjermani ka vendosur një kusht të qartë për një transferim të mundshëm në “Santiago Bernabéu”.
Klopp kërkon autoritet të plotë mbi çdo sektor të ekipit të parë, përfshirë politikën e transferimeve dhe vendimmarrjen sportive. Një kërkesë e tillë do të ishte precedenti i parë në historinë e klubit madrilen, pasi deri më tani asnjë trajner nuk ka pasur kontroll total mbi merkato-n. Sipas raportimeve, nëse ky skenar realizohet, rrezikohen edhe disa emra të rëndësishëm të skuadrës. The Touchline pohon se Klopp nuk është i bindur nga Dani Carvajal dhe Ferland Mendy, të cilët mund të largohen në rast se gjermani merr drejtimin e ekipit.
Këto zhvillime vijnë si një surprizë e madhe, duke qenë se Klopp aktualisht është i punësuar te Red Bull, ku mban postin e kreut të operacioneve globale të futbollit, dhe ka deklaruar vazhdimisht se nuk është i interesuar për stolin e Real Madridit. Madje, vetëm pak kohë më parë, gjermani i kishte dërguar një mesazh drejtuesve të klubit madrilen në lidhje me planifikimin sportiv, duke mohuar çdo interes për të marrë drejtimin e skuadrës.
Situata te Real Madridi mbetet e trazuar, pas një periudhe të vështirë që kulmoi me shkarkimin e papritur të legjendës së klubit, Xabi Alonso, i cili kishte marrë drejtimin e ekipit gjatë verës.

