Klopi dhe Murinjo për gafën e bujshme financiare apo  “orteku Nejmar”

Transferimi i Nejmarit është tema më e rëndësishme në botën e futbollit, kështu që komentet e tyre për të i bënë, dje, edhe trajnerët e Livepulit, Jyrgen Klop, dhe të Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo. “Ekzistojnë klube që mund të paguajnë para kaq të mëdha. Të tillë janë PSZH-ja dhe Mançester Siti. Kisha mendimin se fair play financiar u vendos që situata të tilla të mos ndodhnin”, vuri në dukje Klopi, duke shtuar më tej: “Nuk e di dhe nuk e kuptoj sesi ndodhin gjëra të tilla. Shpresoj që kjo që ndodhi, të jetë vetëm një përjashtim”.

Murinjo, nga ana e tij, konsideron se transferimi i Nejmarit nuk është shumë i shtrenjtë, por se problem mund të përbëjnë pasojat.

“Të shtrenjtë janë ata lojtarë, për të cilët paguhen shuma të mëdha, ndërsa ata nuk ndodhen në nivelin e caktuar, kurse 200 milionë sterlina për Nejmarin nuk janë shumë”, theksoi Murinjo, duke shtuar se “shtrenjtë mund të konsiderohet, duke pasur parasysh se, tani, kemi më shumë lojtarë që transferohen për 100 milionë, 80 milionë dhe 60 milionë sterlina. Prandaj, unë mendoj se Nejmari vetë nuk përbën ndonjë problem, por problem janë pasojat që rrjedhin nga transferimi i tij”, tha “Speciali”.

Sfidanti.al