Aleksis Sançez është ndoshta i vetmi futbollist i Mançester Junajtidit që nuk e ka përmirësuar formën e tij, qëkur në krye të “djajve të kuq” ka ardhur trajneri i ri, Ole Gunar Solskjer. Futbollisti kilian, në fakt, ka probleme edhe me dëmtimet, por, duke qenë se ai fiton 550 000 sterlina në javë, klubi dhe tifozët prisnin shumë më tepër nga ai.
Në këto kushte, ka shumë mundësi që Sançezi të shitet gjatë verës dhe me paratë që do të sigurohen, klubi i “Old Traffordit” do të përpiqet që të sjellë në radhët e veta talentin e ri anglez, Xhadon Sanço, që tani po shkëlqen me Borusian e Dortmundit, ku ai ka ardhur nga Mançester Siti. Te klubi “qytetar” ai nuk ra në sy, por te Borusia Sanço, brenda një kohe të shkurtër, është bërë një nga lojtarët më të mirë, saqë atë e thirrën edhe në përfaqësuesen angleze.
Thuhet se Junajtidi është gati të japë 100 milionë sterlina për Sançon që ky i fundit të bashkohet me “djajtë e kuq” të rinj të tjerë, Markus Rashford dhe Xhesi Lingard.
Sfidanti.al