Simone Inzaghi u shfaq i tërbuar pas barazimit që Interi regjistroi 2-2 kundër Bolognës në “San Siro”, i cili erdhi pas një ndeshjeje që mori shumë shpejt drejtimin zikaltër, pas avantazhit fillestar 2-0. Tekniku zikaltër kritikoi jo pak të tijtë për mungesë përqendrimi, në të dy momentet, si në penalltinë që solli golin e parë për Bolognën, ashtu edhe në golin e barazimit të emilianëve.
“Është një barazim që na rri shumë ngushtë. E vramë shpejt ndeshjen dhe nuk duhej ta lejonim Bolognën të futej në lojë. Gabuan tre lojtarë në vendosje, në momentin e penalltisë së shkaktuar nga Lautaro dhe më pas një tjetër moment shpërqendrimi te goli i barazimit. Tani futbollistët do të ikin me përfaqësueset e tyre, por kur të kthehen, do të ndalemi gjatë te këto gabime”, tha Inzaghi.