Interesimi i Interit për Mehdi Taremin nuk është zbehur. E kërkoi Milani fillimisht dhe më pas zikaltërit dhanë sinjale por nuk e finalizuan operacionin në verë. Iraniani i Portos gjithsesi e ka mbledhur mendjen dhe dëshiron të udhëtojë drejt Milanos që në merkaton e dimrit.
Teksa kanë kaluar pothuajse dy muaj që prej mbylljes së merkatos, drejtori sportiv, Piero Ausilio, ka shfaqur edhe një herë interesin për sulmuesin. Taremi mund të largohet falas në verë dhe në janar do të jetë i lirë të zgjidhë destinacionin e radhës. Kjo është arsyeja pse Interi e konsideron të përshtatshme që të rifillojë fushatën ofensive për ta vendosur në dispozicion të Inzaghit i cili duket i pakënaqur nga Arnautovic.
sfidanti.al