Inter, Conte rrezikon të skualifikohet disa javë për fyerje ndaj arbitrit

Barazimi 0-0 ndaj Udineses nuk është shqetësimi i vetëm për Interin. Klubi zikaltër pritet të përballet me një ndëshkim të rëndë të trajnerit Conte. Ky I fundit u bë protagonist i një momenti nervozizmi dhe polemikash me arbitrin e ndeshjes Maresca dhe e gjithë kjo sepse ky I fundit nuk akordoi disa minuta më shumë shtesë. Conte nuk e ruajti qetësinë dhe mes nervave iu drejtua gjyqtarit Maresca: ‘Je gjithnjë ti, Maresca. Je gjithnjë ti Maresca. Edhe te VAR, je gjithnjë ti. Të lumtë Maresca’.

Pas kësaj Maresca që e kishte ndëshkuar me karton të verdhë më parë Conten, i tregoi të kuqin dhe këtë e bëri edhe me Lele Orialin. Tani pritet raporti i Gjykatësit Sportiv, por me siguri ndëshkimi do të jetë i ashpër për trajnerin e Interit.

Conte me frazën e tij iu referua sfidës mes Interit dhe Parmës të mbyllur 2-2 në datën 31 tetor kur Maresca që në atë ndeshje ishte në sallën VAR nuk akordoi një faull të Balogh ndaj Perisic. Duke u kthyer te sfida mes Udineses, në konferencën për shtyp, Conte e zbuti qëndrimin e tij teksa shpjegoi situatën

‘Mund të jepej pak më shumë kohë shtesë-tha Conte-protestova për minutat shtesë dhe arbitri më ndëshkoi me karton të verdhë dhe më pas me të kuq. Nuk ishim dakord për këtë, Katër minuta m’u dukën pak, arbitri duhet të marrë vendimet e tij dhe ne duhet t’Iipranojmë edhe pse nuk jemi dakord’.

Sfidanti.al