Ikardi te Paris Sën Zhermen, nën regjinë e Vanda Narës

Nëse Mauro Ikardi pranoi ofertën e Paris Sën Zhermenit, klubi francez për këtë i detyrohet Vanda Narës. Bashkëshortja dhe njëkohësisht agjentja e futbollistit pati një rol më shumë se vendimtar në tratativa; fillimisht ajo arriti të sigurojë një marrëveshje ekonomike avantazhuese, më pas arriti të bindë Ikardin që të pranojë atë, e bindur se ishte zgjidhja më logjike e situatës. Pas 9 muajsh ‘lufte’ për argjentinasin kishte ardhur momenti që të linte Interin, por asgjë nuk ishte e lehtë

E hëna ishte një ditë e gjatë për familjen Ikardi. Që nga momenti kur Vanda Nara la studion e programit ‘Tiki Taka’ në orën 00:40 të së dielës pasi mori një telefonatë që e informoi për përshpejtimin e hapave të Paris Sën Zhermenit, nisi edhe gara me kohën për kalimin e Ikardit në kryeqytetin francez.

Pengesa më e vështirë ishte padyshim bindja e sulmuesit për të pranuar ofertën e kampionëve të Francës. Vanda u kthye në shtëpi dhe nisi diskutimet me bashkëshortin e saj, por në orën 04:00 të mëngjesit Mauro kishte ende dyshime të mëdha sepse qëndrimi i tij te Interi edhe pse si i izoluar nga skuadra ishte prioriteti i tij pavarësisht parrullave kërcënuese që lexonte pranë shtëpisë së tij. Por më pas të dy në shtrat vendosën që të niseshin për në Paris.

Pas mesditës të së hënës, Ikardi dhe Vanda të shoqëruar edhe nga ndëemjetësi Xhufrida, iu drejtuan aeroportit të Malpensës për të udhëtuar drejt Francës me një avion privat. por vendimi përfundimtar ende nuk ishte marrë dhe tensioni ishte i lartë; Ikardi kishte ende pushtetin për të cuar dëm gjithcka pasi kishte shumë pikëpyetje.
Por mbërritja në Paris në selinë e PSG; garancitë e Leonardos, një pagë me 10 milionë Euron në sezon dhe vullneti i bashkëshortes së tij bindën Ikardin të thotë ‘Po’. Pas kësaj erdhën vizitat mjekësore, firma, fotoja me fanelën e re me nr.18 dhe fjalët e para në formën e ritit: ‘Krenar që jam parizien’.

Tani për Ikardin hapet një kapitull i ri me sulmuesin që ka dëshirë të tregojë se Interi gaboi, një lëvizje kjo që është një lloj hakmarrje personale. Nën Kullën Eifel, në qytetin e dashurisë dhe përkrah Vandës, gjithcka do të jetë më e lehtë.

sfidanti.al