Atletiko Madrid duket se ka filluar menjëherë punën për forcimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm dhe një prej reparteve që ka prioritet për skuadrën bardhekuqe është ai i sulmit. Alvaro Morata e ka të garantuar qëndrimin e tij, ndërkohë që janë dy dilema domëthënëse që janë Antuan Grizman dhe Diego Kosta. Në rastin e francezit drejtuesit e Atletikos theksojnë se ai i ka siguruar se do të qëndrojë, ndërsa për Diego Kostën, ndëshkimi me karton të kuq në ndeshjen me Barcelonën ka bërë që ata të humbasin durimin me të duke bërë që të studiojnë ofertat që mund të vijnë për të.
Në këtë pikë stafit teknik të Atletikos do t’i duhet të gjejë një sulmues të ri për skuadrën dhe Diego pablo Simeone duket se ia ka vënë syrin Mauro Ikardit duke parë edhe situatën që po kalon argjentinasi tek skuadra e Interit. Synimi është që Atletiko të zgjidhë sa më shpejt problemin e mungesës së golit, që është problemi kryesor i kësaj skuadre për këtë sezon.
Nëse do të dështojë opsioni Ikardi, alternativa për Atletikon është Lorenco Insinje i Napolit dhe Jovic i Ajntrahtit të Frankfurtit. Objektivi i Atletikosh është që të ketë një repart të sulmit të fuqishëm në mënyrë që kjo skuadër sezonin e ardhshëm të luftojë për të fituar të gjithë trofetë e mundshëm e sidomos Ligën e Kampioneve.
sfidanti.al