Mauro Ikardi mori pjesë në seancat e para stërvitore të Interit nën drejtimin e trajnerit të ri, Antonio Konte, por, sidoqoftë, ish-kapiteni i ekipit u kthye mbrapsht në Milano, pasi nuk do të shkojë bashkë me pjesën e tij të ekipit në turne nëpër disa vende të Azisë.
Trajneri Konte e lejoi atë që të kthehej në Milano, ku ai do të stërvitet në mënyrë individuale.
“Gazeta delo Sport” shkruan se Ikardi e theksoi edhe një herë tjetër qëndrimin e tij se do që të ikë nga Interi, por vetëm te Juventusi dhe se ai nuk do të shqyrtojë asnjë ofertë tjetër. Gazeta në fjalë pretendon se Ikardi tanimë ka nënshkruar me “zonjën e vjetër” një kontratë pesëvjeçare, se paga e tij do të jetë tetë milionë euro për sezon dhe se ai nuk do të ndërrojë mendje, edhe sikur ndonjë klub tjetër të dërgojë në adresë të tij ndonjë ofertë më të majme.
Interi, në fakt, deri tani nuk ka dashur që ta shesë golashënuesin e vet më të mirë, por situata tani ka ndryshuar, sepse pa shitur Ikardin, Interi nuk do të mund të blejë Romelu Lukakun, të cilin e do aq shumë Konte, kështu që drejtori sportiv, Bepe Marota, do të jetë i detyruar që të bisedojë me Juventusin.
Sfidanti.al