Frank De Boer do të jetë trajneri i ri i Holandës në pankinën e së cilës do të zëvendësojë Ronald Koeman. Sipas të përditshmes ‘De Telegraaf’, ish tekniku i Ajaksit ka arritur një marrëveshje paraprake me Federatën Holandeze të Futbollit për të marrë këtë detyrë. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, akordi i De Boer me KNVB është deri në vitin 2022, që do të thotë se De Boer do drejtojë Holandën jo vetëm në Evropianin e vitit të ardhshëm, por edhe në Botërorin e Katarit, por për këtë opsion fillimisht do të vlerësohet puna e tij në evropianin e futbollit.
‘De Telegraaf’ thekson se Federata Holandeze e futbollit do të zyrtarizojë dhe do të prezantojë Frank De Boer në pankinën e kombëtares këtë fundjavë ose në fillimin e javës së ardhshme. Në këtë mënyrë, në 2 tetor do të jetë pikërisht De Boer ai që do të bëjë të ditur listën e të grumbulluarve të Holandës për ndeshjet kundër Meksikës që është miqësore dhe Bosnjes e Italisë për UEFA Nations League.
Frank De Boer ishte zgjedhja e tretë për marrjen e drejtimit të përfaqësueses holandës, 2 kandidatët e tjerë e refuzuan ofertën e bërë; Frank Rijkaard sepse nuk e mendon kthimin në futboll dhe Peter Bosz sepse preferoi që të qëndrojë te Bayer Leverkusen
Sfidanti.al