Hoffman i zhgënjyer me Xabi Alonson

Mesfushori i Bayer Leverkusen, Jonas Hofmann, ka folur hapur për zhgënjimin që ka përjetuar gjatë sezonit të kaluar nën drejtimin e Xabi Alonsos. Në një intervistë për “Kölner Stadt-Anzeiger”, lojtari gjerman nuk kurseu kritikat ndaj teknikut spanjoll, duke vënë në dukje mungesën e komunikimit dhe mënyrën e ftohtë të menaxhimit të skuadrës.

“Sezonin e kaluar e kam futur në një kuti dhe nuk dua ta hap më. Ishte shumë zhgënjyes për mua. Asgjë nuk shkoi si duhet dhe nuk është ky niveli ku synoj të jem”, u shpreh Hofmann me tone të drejtpërdrejta.

Ai theksoi si problem kryesor mungesën e komunikimit nga ana e Alonsos: “Nga një trajner pres të më flasë hapur dhe drejt, nëse ka diçka që nuk i pëlqen. Nuk duhet të kalojnë dy javë pa një bisedë me lojtarët, që të qëndrojmë në formë dhe të rrisim konkurrencën. Prisja më shumë nga një trajner”.

Situata e krijuar sezonin e kaluar madje e kishte shtyrë Hofmann-in të mendojë edhe për një largim nga klubi: “Ndihem mirë, por me Xabi Alonson ndoshta do të isha larguar”.

Tashmë, me ardhjen e Erik ten Hag në krye të Leverkusenit, 33-vjeçari sheh një mundësi të re për të rilindur: “Trajner i ri, mundësi e re. Jam fëmijë i Bundesligës dhe do të luftoj për t’u rikthyer në nivelin tim më të mirë”.

Me këtë deklaratë, Hofmann jo vetëm që mbyll një kapitull të hidhur, por edhe nënvizon qartë çfarë sipas tij mungoi në epokën Alonso: ndershmëria, qartësia dhe komunikimi njerëzor. Kritika që bien rëndë mbi trajnerin aktual të Real Madridit, për mënyrën si menaxhoi një prej veteranëve të ekipit të tij.

sfidanti.al