Mbiemri Kluivert vazhdon të jetë i pranishëm në skenën ndërkombëtare të futbollit. Patrick Kluivert, ish-sulmues i Ajaxit, Milanit, Barcelonës dhe kombëtares së Holandës, u tërhoq nga futbolli në vitin 2008, por trashëgimia e tij jeton përmes katër djemve të tij, të gjithë të përfshirë në botën e futbollit.
Aktualisht, Patrick është trajner i kombëtares së Indonezisë që nga janari 2025 dhe nga larg vështron me krenari rrugëtimin sportiv të bijve të tij.
Djali i madh, Quincy Kluivert, është rritur në akademinë e Ajaxit. Tani 28 vjeç, ai luan si mbrojtës i djathtë për klubin amator AVV Zeeburgia, ndërsa njëkohësisht ka edhe një jetë artistike: është aktiv si DJ në skenat muzikore të Amsterdamit.
Figura më e njohur është pa dyshim Justin Kluivert, 26 vjeç, një tjetër produkt i Ajaxit. Pas aventurave në Itali, Gjermani, Francë e Spanjë, ai luan aktualisht për Bournemouth në Premier League, duke qenë një emër tashmë i konsoliduar në futbollin evropian, megjithatë pa arritur ende atë hapin përfundimtar drejt elitës.
Emri më premtues është ai i Ruben Kluivert, një qendërmbrojtës 24-vjeçar. Pas përvojës mes Ajaxit dhe Utrechtit, ai luajti sezonin e fundit në Portugali me Casa Pia dhe është shumë pranë kalimit te Olympique Lyon.
Zinxhirin e talenteve e mbyll Shane Kluivert, sulmues i krahut vetëm 17 vjeç, pjesë e Barcelonës që nga viti 2017. Ai sapo është promovuar në skuadrën Juvenil A dhe ëndërron debutimin mes të mëdhenjve.
Familja Kluivert, duket, sapo ka filluar kapitullin e ri në historinë e saj futbollistike.
sfidanti.al