Historia përsëritet; Donnarumma mund të lërë Milanin

Cdo vit Xhanluixhi Donaruma përjeton të njëjtën histori; atë të largimit nga Milani. vetëm se këtë radhë duket se lamtumira e tij nga kuqezinjtë mund të konkretizohet. Në fakt portieri i Milanit duket se është vënë sërish në shënjestrën e Paris Sën Zhermenit që po përgatitet të dërgojë në zyrat e klubit milanez një ofertë thuajse të pamundur për t’u refuzuar.

Mësohet se kampionët e Francës janë gati të ofrojnë 50-55 milionë Euro për portierin 20 vjecar të Milanit, një ofertë kjo që e vendos klubin në një dilemë të madhe. Kjo sepse kuqezinjtë nuk dëshirojnë të privohen nga Donaruma, por cështja e Fair Play Financiar mund të bëjë që Milani të marrë në konsideratë këtë ofertë për portierin

Sigurisht në aspektin ekonomik Milani do të përfitonte pasi do të arkëtonte shumë të ardhura nga plusvalenca e lojtarit, për më tepër do të kursente edhe pagën e tij që është më e larta në skuadër. Por në anën tjetër kjo kërkon edhe 2 refleksione sportiv shumë domëthënëse. Së pari, Donaruma ka zhvilluar një sezon shumë të mirë duke e rritur ndjeshëm vlerën e tij në krahasim me një vit më parë. Kështu që ky është momenti më i mirë për ta nxjerrë në merkato. Së dyti, po rezulton se drejtuesit e Milanit po mendojnë seriozisht që të sjellon në pankinë Mauricio Sarrin i cili është shumë i lidhur me Pepe Reinën, të cilin e vlerëson në cdo aspekt. kështu që nuk është cudi të shohim Reinën titullar të padiskutueshëm në radhët e Milanit nëse në stol ulet Sarri, ndërsa Milanit do t’i duhet që të gjejë një portier zëvendësues

Sigurisht që të gjitha këto janë thjesht hipoteza, sepse pavarësisht interesit të padiskutueshëm të Paris Sën Zhermenit për Donarumën, në zyrat e Milanit nuk ka ardhur asnjë ofertë konkrete, ndërkohë që në këtë pikë një peshë do të ketë edhe kualifikimi apo jo i Milanit në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm.

sfidanti.al