Pas më shumë se shtatë vitesh hetimesh, Gjykata e Firencës ka shpallur fajtorë tre mjekë lidhur me çështjen e vdekjes së ish-kapitenit të Fiorentina-s, Davide Astori. Giorgio Galanti, ish-drejtor i mjekësisë sportive në Careggi, u dënua me një vit burg, ndërsa Loria Toncelli dhe Pietro Amedeo Modesti morën dënime prej tetë muajsh, ky i fundit edhe për shkatërrim dokumenti zyrtar. Hetimet kanë zbuluar se mjekët kishin falsifikuar ose neglizhuar dokumente mjekësore.
Prokurori Antonio Nastasi kishte kërkuar dënime më të rënda: tri vjet e gjysmë për Galanti-n, tri vjet për Toncelli-n dhe një vit e katër muaj për Modesti-n. Megjithatë, gjykata vendosi masa më të lehta, duke mos njohur rrethanat rënduese të “certifikatës së garancisë”.
U hodhën poshtë edhe kërkesat për kompensim nga familjarët e ish-lojtarit. Astori vdiq më 4 mars 2018 nga një sëmundje e padiagnostikuar e zemrës. Ai u gjet i vdekur në hotel përpara ndeshjes kundër Udinese-s.
sfidanti.al