Humbja 3-1 në transfertën ndaj Alavesit duket se ‘derdhi edhe kupën’ për trajnerin e Granadës, Paco Lopez, pasi drejtuesit e klubit i komunikuan zyrtarisht shkarkimin. Me vetëm një fitore në 14 ndeshje dhe 7 pikë të grumbulluara, skuadra ku aktivizohet sulmuesi kuqezi Myrto Uzuni, renditet në vendin e parafundit, ndaj drejtuesit vendosën të shkarkojnë trajnerin 56-vjeçar spanjoll.
Fill pas shkarkimit, Granada zgjodhi edhe trajnerin e ri, që do të jetë uruguaiani 45-vjeçar Alexander Medina. Ky i fundit do të drejtojë për herë të parë një klub në Europë, pasi e ka nisur karrierën në 2017-ën te Nacional në vendlindje. Më pas ka drejtuar skuadrën e Talleres në Argjentinë, për rreth dy sezone, për të vijuar më pas në Brazil me Internacional dhe për t’u rikthyer sërish në Argjentinë, te Velez Sarsfield, ku punoi deri në shkurt të këtij viti. Medina do të kërkojë të tregojë aftësitë e tij edhe në La Liga, teksa skema e tij e preferuar si trajner është ajo 4-2-3-1, pak a shumë e ngjashme me 4-3-3 që përdorte Lopez, ndaj Myrto Uzuni nuk pritet të ketë vështirësi për të ruajtur vendin e titullarit. Për më tepër, sulmuesi shqiptar është edhe golashënuesi më i mirë i Granadës, me 5 gola të shënuar këtë sezon, teksa një vit më parë fitoi edhe Këpucën e Artë në Segunda Division.
sfidanti.al