Barazimi 2-2 në fushën e Interit ishte një plus i madh moral për ekipit nga Bergamo, diçka që i jep shpresë që të jetë sërish në zonën Champions, pse jo të synojë edhe majën e Serisë A. Trajneri Xhampiero Gasperini pranoi se ishte e vështirë, por gjithashtu gjykon se ekipi i tij e meritoi këtë rezultat në “San Siro”. “Mund të kishim marrë 0 pikë, mund të kishim marrë edhe 3, – tha trajneri i Atalantës, Gasperini, – le të mbajmë barazimin. Një ndeshje e madhe, për meritë të të gjithë lojtarëve në fushë. Kënaqësi që luajtëm në një stadium me kaq shumë tifozë. Ata e nisën më mirë dhe shënuan, pastaj ne e përmbysëm rezultatin me meritë. Pas pushimit ne e nisëm më mirë, por pastaj Interi bëri zëvendësime dhe ishte i fortë”.
Për Atalantën pati një vlerësim të mirë edhe për Berat Gjimshitin. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare luajti 30 minuta në pjesën e dytë dhe mori notën 6, jo keq në krahasim me shokët dhe për kohën në dispozicion. Interi u ndal në kuotën e 14 pikëve, 2 më pak se Milani, ndërsa Atalanta ka 11 pikë, e gjithashtu pretendon titullin.
Sfidanti.al