Fair Play Financiar, PSG mund UEFA-n, CAS i jep të drejtë

Paris Sën Zhermeni mund UEFA për cështjen e Fair Play Financiar. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv pranoi apelin e bërë nga klubi parizien për vendimin e marrë nga qeveria e futbollit evropian për riekzaminimin e financave të tij.
UEFA e mori këtë vendim në muajin shtator dhe në shënjestër ishin shpenzimet e kryera nga Paris Sën Zhermeni në vitin 2017 kur transalpinët blenë Nejmarin dhe Mbapenë për më shumë se 400 milionë Euro. Paris Sën Zhermeni e apeloi dhe CAS i dha të drejtë teksa deklaroi se procedura e hetimit në qershor ishte e mbyllur dhe përfundimtare.

Ky vendim i CAS e ka lënë mjaft të kënaqur Paris Sën Zhermenin që do të vijojë me qetësi zhvillimin e klubit. Në komunikatën e tij, klubi kampion i Francës theksoi edhe njëherë se gjithnjë i ka ndjekur rregullat dhe gjithnjë ka kërkuar që t’u përgjigjet me qetësi dhe transparencë kërkesave të UEFA dhe Dhomës Investigative të Kontrollit Financiar

Në 13 qershor 2018, Dhoma Investigative e Kontrollit Financiar të Klubeve në UEFA e mbylli hetimin ndaj Paris Sën Zhermenit për bilancin në periudhën 2015-2017 pa marrë asnjë masë ndëshkuerse. Ndërsa në 22 qershor, presidenti i Kontrollit Financiar të Klubeve urdhëroi Dhomën Arbitrare të rishohë vendimin e marrë nga ajo e Investigimit dhe kjo ndodhi në 19 shtator kur u vendos për hapjen e hetimeve të reja që në të vërtetë nuk do të bëhen.
Në 3 tetor të 2018 Paris Sën Zhermeni apeloi në CAS për këtë vendim në bazë të faktit se kërkesa u bë 10 ditë pas vendimit të parë, një apel që u pranua nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv.

sfidanti.al