Garanci nuk ka dhe e pranojnë edhe vetë se do të jetë e vështirë. Barcelona udhëtoi drejt Stambollit e ndërgjegjshme se nuk e bëri siç duhet detyrën në ndeshjen e parë në “Kamp Nou”, dhe se kalimi për në çerekfinalen e Ligës së Europës duhet siguruar në atmosferën e zjarrtë të stadiumit të Gallatasarajit. Gjithsesi, turqit patën një mikpritje të veçantë duke i shërbyer katalanasve edhe me një orkestër të vogël në hotelin ku ata u vendosën. Skuadra e trajnerit Ksavi është në Turqi me disa mungesa të rëndësishme si Ansu Fati, Sergi Roberto, Balde, Ymtiti, por edhe Pike (në foto) që nuk pritet të luajë, pasi rezervohet për El Klasikon ndaj Realit. Gavi kthehet nga pezullimi, por Dani Alvesh nuk luan dot në Europë. Ksavi kërkon kualifikimin, por do të duhet të bëjë rotacion përderisa të dielën luhet derbi në Madrid ndaj Realit.
“Mund të them se skuadra është me të vërtetë e motivuar, dhe gati për të konkurruar, – thotë trajneri, – natyrisht është një konkurrim shumë i rëndësishëm për ne, është Europa. Ne duam të fitojmë, dhe kemi nevojë që të fitojmë. Jemi të emocionuar dhe të gatshëm. Do të jetë e vështirë, padyshim, po luajmë jashtë fushe. Duhet të luajmë pak më mirë sesa në ndeshjen e parë. Mendoj se jemi gati”. Barcelona ka treguar dy fytyra këtë sezon. Ashtu si në ndeshjen e parë ndaj Gallatasarajit, ekipi i Ksavit shpesh ka qenë i pazoti të shënojë gola e të fitojë. Gjithsesi, në shumicën e përballjeve, Barça ka qenë e shkëlqyer duke shënuar nga 4 gola siç bëri në fitoret ndaj Atletikos së Madridit, Napolit apo fundjavën e kaluar në La Ligë ndaj Osasunës.
Sonte zhvillohen 7 ndeshje të të tetave të finaleve, katërt në 18:45 dhe 3 në 21:00, dhe spikat ajo e Leverkusenit me Atalantën, në radhët e së cilës luan edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti. Nuk do të zhvillohet ajo mes Spartakut të Moskës dhe Lajpcigut sepse skuadrat ruse janë përjashtuar nga konkurrimet europiane pas agresionit në Ukrainë.
Sfidanti.al