Edhe Kejni ka rënë në dashuri me Totenhemin e Kontes!

Për trofe ende nuk mund të bëhet fjalë, pasi trajneri italian ka shumë pak kohë që ka nisur punën, ndërsa Spërsat kanë mjaft për të bërë. Gjithsesi, pavarësisht ulje-ngritjeve, Totenhemi po ngjitet dalë nga dalë në renditje dhe po synon me këmbëngulje një vend në Champions sezonin e ardhshëm. Mbrëmja e fundit në Premier Ligë ishte shumë e mirë, sikur e kishte skicuar me dorë vetë Konte, me londinezët që fituan 2-0 në Brajton, dhe Arsenalin që u mund në “Emirejts” nga Liverpuli. Kjo do të thotë se Totenhemi vërtet është në vendin e 7-të me 48 pikë në 28 ndeshje, por Arsenali ka 51 në 27 ndeshje, Mançester Junajtidi ka 50 pikë në 29 ndeshje dhe Uest Hemi ka 48 pikë në 29 ndeshje.

Përballja e ardhshme është Totenhem-Uest Hem, dhe një fitore do të thoshte sukses ndaj një rivali direkt, si dhe kalim i Junajtidit në renditje. Mbetet vetëm Arsenali, dhe Spërsat do të shkonin në Champions vetëm nëse “topçinjtë” do të bënin gabime. Gjithsesi, përmirësimi ekziston dhe vazhdon. “Ne arritëm një fitore të madhe në Brajton, – thotë sulmuesi kryesor, Harri Kejn, – ne patëm edhe fat, por rëndësi ka që fituam. Duhet të vazhdojmë të fitojmë dhe të punojmë fort”.

Sfidanti.al