Kanë mbërritur dhe janë gati për ndeshjen, ndërsa telashet nuk ndahen. Nëse je ekip nga Kosova, kombëtare apo klub, në ndeshje të veçanta të ndjekin problemet, siç ndodh edhe me sfidën e Feronikelit në Sllovaki ndaj Sllovanit të Bratislavës. Dy futbollistë dhe një ndihmëstrajner i skuadrës sllovake kanë refuzuar të luajnë ndaj shqiptarëve të Kosovës, dhe kjo për shkak se janë serbë.
Presioni nga vendi i tyre apo ndoshta edhe mendimi personal i bënë që t’i kërkojnë drejtuesve që të pranojnë bojkotimin e tyre për dy ndeshjet e radhës në kontinent. Ata janë lojtarët Aleksandar Çavriç e Dejan Drazhiç, si dhe ndihmëstrajneri Vladimir Radenkoviç, ndërsa ndeshja luhet sot në orën 18:00.
“Çavriç e Dragiç nuk do të luajnë ndaj skuadër nga Kosova, Sllovani respekton vendimin e tyre, – titullon media e Beogradit, “B92”, – futbollistët serbë si dhe ndihmëstrajneri Vladimir Radenkoviç, refuzojnë të luajnë për Sllovanin kundër Feronikelit të Kosovës”.
Tabloidi “Kurir”, siç pritej, ishte më i ashpër, dhe sulmon presidentin e Federatës së Malit të Zi, Dejan Saviçeviç, që e ka mbështetur Kosovëm. “A fle i qetë Dejan Saviçeviç, – shkruan e përditshmja bulevardeske, – serbët refuzojnë të luajnë ndaj klubit shqiptar nga Kosova, të cilit ti i dhe mbështetje të plotë. Një bravo e madhe për Sllovanin e Bratislavës”.
Mediat në Kosovë, po ashtu i bëjnë jehonë vendimit të futbollistëve dhe trajnerit serb. “Gazeta Ekspres”: Feronikeli përballet sot me Bratislavën, të cilin lojtarët e saj serbë duan ta refuzojnë, shkaku i Kosovës! “Koha Ditore”: Nikli i gatshëm, Sllovani në telashe me serbët në skuadër, dhe me tifozët racistë!
Një gjë e tillë ndodhi kur Kosova luajti ndaj Malit të Zi, në eleminatoret e Europianit. Trajneri Ljubisha Tumbakoviç u shkarkua pasi nuk pranoi të drejtonte ekipin, ndërsa dy lojtarë me origjinë serbe, Mirko Ivaniç e Filip Stojkoviç, nuk dolën në fushë.
Sfidanti.al