Trajneri i Liverpulit, e më parë i Dortmundit, u bë i famshëm për humbjet që pësonte nëpër finale siç i ndodhi në Champions në 2013 me gjermanët, dhe në 2016 e 2018 në Ligën e Europës e në Champions me anglezët. Më në fund, Jurgen Klopi e kaloi mallkimin në 2019 duke fituar Championsin përballë Totenhemin.
Ole Gunar Solskjer, trajneri i Mançester Junajtidit, pati sezonin e kaluar mallkimin e gjysmëfinaleve. Ekipi i tij arriti tri herë deri aty, por që të treja herët dështoi. Në Kupën e Anglisë, Junajtid u eleminua nga Çelsi, në Kupën e Ligës (Karabao), “djajtë e kuq” i humbën të dyja gjysmëfinalet ndaj Mançester Sitit, ndërsa në Ligën e Europës u mundën në ndeshje teke nga Sevilja. Edhe këtë sezon, skuadra e “Old Trafordit” arriti në gjysmëfinale në Kupën e Ligës, por u mund sërish nga Mançester Siti.
Këtë vit, Junajtid është në të tetat e finaleve në Ligën e Europës, është në konkurrim edhe në Kupën e Anglisë. “Jam i bindur se mund ta fitojmë trofeun europian, – tha Solskjeri, – kultura këtu është përmirësuar shumë, skuadra është më e fortë se vjet. Mendoj se kemi ekipin më të mirë në Ligën e Europës, italianët dhe spanjollët nuk janë si dikur”.
Sfidanti.al