Një tjetër tregues sesa larg duhet të jetë shiriti i kapitenit nga krahu i tij. “Terminatori” Bepe Marota, po bën ligjin tek Interi, ndërsa “viktima” e tij e radhës, Mauro Ikardi, pati një ditë “rozë” dhe jo “zikaltër”, në të enjten e Ligës së Europës. Pasi refuzoi të udhëtonte me skuadrën në Vjenë, për ndeshjen ndaj Rapidit, sulmuesi lëshoi dy mesazhe.
Njëri ishte ai i Shën Valentinit, duke qenë 14 shkurti, dhe fotoja ishte e argjentinasit në krah të gruas-agjente, Uanda Nara. Në një kohë që shokët e tij djersitën shumë për fitoren, Ikardi ishte i përqëndruar tek dita e dashurisë. Mesazhi i dytë ishte i përbërë nga dy foto pa ngjyra në rrjetet sociale, e para duke paraqitur vetveten para nisjes së një ndeshjeje, dhe tjetra sërish e vetvetes pas një goli.
Komenti i mesazhit të dytë ishte shumë lakonik. “Më mirë të heshtësh dhe të cilësohesh budalla, sesa të hapësh gojën dhe të largosh çdo dyshim”. Nuk dihet se çfarë dyshimesh mund të ketë ende Ikardi, por i vetmi do të ishte që ai mund të largohet nga Interi.
Sfidanti.al