Një veprim i madh nga tifozët e Ajntrahtit. Ndërsa skuadra e tyre marshonte triumfalisht në Ligën e Europës, një pjesë e mbështetësve nxituan të blinin bileta për finalen, madje që në muajin mars. Frankfurti arriti në gjysmëfinale, dhe iu afrua shumë ndeshjes fundore, duke u eleminuar nga Çelsi vetëm pas penalltive në Londër. Kjo do të thotë se tifozëve u shkuan biletat kot, nëse do të llogarisim se ata i blenë për të parë ekipin e tyre.
Gjithsesi, pjesa më e madhe e tyre vendosi të organizonte diçka të madhe dhe të bukur. Rreth 300 tifozë u organizuan për t’ua dhuruar biletat e tyre fëmijëve të fshatit SOS në Baku të Azerbajxhanit, pra të qytetit ku luhet finalja Arsenal-Çelsi. Jo vetëm kaq, por u vendos të grumbullohej një shumë e madhe financiare, si dhe dhurime të ndryshme për t’i dërguar në Azerbajxhan. Ky aksion kulmoi një sezon të shkëlqyer të Frankfurtit në Europë, ndërsa një pjesë e vogël e tifozëve vendosën t’i mbanin biletat e të shkonin për të parë finalen në 29 maj.
Sfidanti.al