Një tjetër “gurgule” në futboll, pas përplasjeve që ndodhën në Paris SG-Istanbul Bashaksehirspor. Këtë herë gjithçka ngjau në stadiumin “Ajbroks” të Gllazgout, ku një lojtar i Sllavias së Pragës akuzohet për racizëm ndaj një lojtari të Rejnxhërsit. Jo vetëm kaq, por edhe tifozët e Sllavias në Pragë bënë një demonstrim me një banderolë raciste kundër lojtarit të Rejnxhërsit, Glen Kamara. Ka kërkesa nga njerëz në rrjetet sociale, por edhe nga njerëz të futbollit si ish-ylli i Rejnxhërsit, Kris Bojd, që Sllavia të përjashtohet nga Liga e Europës, ndonëse arriti në çerekfinale me meritë sportive.
“Nuk them të kthejmë Rejnxhërsin, – tha Bojdi, – sepse ekipi më i mirë fitoi me meritë. Unë them që ta përjashtojmë Sllavian dhe të kalojë Arsenali pa luajtur, sepse duhet të japim një mesazh kundër racizmit. Kamara i tha trajnerit Xherrard se lojtari i Sllavias, Ondrzhej Kudela i tha “majmun”, ndërsa tifozët nga Praga kishin shkruar në banderolë, “Kamara – thjesht një negro”, fjalë që është e ndaluar të përdoret në vendet e Europës Perëndimore dhe në SHBA. Nuk dihet se cili do të jetë qendrimi i UEFA-s, ndërsa Kudela e fshehu gojën me dorë që të mos shihej lëvizja e buzëve.
Sfidanti.al