Ernest Muçi rreh shtyllën për Legian e Varshavës, shpreson minutazh dhe gol!

Debutimin e bëri shpejt, por minutat nuk kanë qenë të shumta. Ashtu siç pritej, Ernest Muçi nuk e pati aspak të lehtë përshtatjen në Superligën e Polonisë, ku u transferua në shkurt të këtij viti, pasi u largua nga Tirana. Sulmuesi 20-vjeçar, pasi u aktivizua dy herë si zëvendësues për Legian e Varshavës, në ndeshjet e kampionatit kundër Gornikut dhe Zaglebies, e pati shansin edhe kundër Krakovias, në javën e fundit.

Këtë herë, ai u bë protagonist edhe pse luajti për vetëm 22 minuta, duke goditur traun e portës. Muçi nuk pati fat, ndërsa gjuajtja e tij u devijua nga një mbrojtës, dhe sfida në kryeqytet përfundoi pa gola. Gjithsesi, barazimi nuk është se i prishi shumë punë Legias që vazhdon të mbajë vendin e parë në renditjen e ligës së quajtur Ekstraklasa, duke pasur 53 pikë në 25 javë, 6 më shumë se Pogoni i Shçecinit të vendit të dytë. Muçi, lojtar i Shqipërisë U21 dhe i projektuar edhe për në kombëtare, u transferua në Poloni në 23 shkurt të këtij viti, dhe për të u paguan gjysmë milioni euro, me Tiranën që thuhet se mbajti nga 10 deri në 20 për qind të kartonit. Legia e Varshavës është e bindur se sulmuesi shqiptar do të jetë një sukses sapo të arrijë përshtatjen e plotë në futbollin polak.

Sfidanti.al