Europa sulmon Superligën: “Heretikët” nuk blejnë dot lojtarë, nuk ka kombëtare!

UEFA, federatat dhe ligat profesioniste, si dhe qeveritë e vendeve të ndryshme kanë nisur një sulm thuajse të organizuar ndaj 12 klubeve rebele që kanë shpallur hapur planet e tyre për Superligën Europiane. Kjo shpallje, e bërë thuajse simbolikisht ditën që Martin Luteri doli kundër Papës e Perandorit të Shenjtë Romak, ka bashkuar ndaj 12-es një front të madh. UEFA ka kërcënuar përjashtim nga Kampionati Europian, FIFA nga Kupa e Botës, Federatat kanë kërcënuar lojtarët se nuk do të grumbullohen në kombëtare, dhe po ashtu ligat nuk do të lejojnë transferime futbollistësh, e qeveria britanike kërcënon se nuk do të japë leje pune për lojtarë që do t’i duan 6 klubet rebelë. Thuajse një “djegie në turrën e druve për heretikët”. Sidoqoftë, në Europë ka diçka tjetër që nuk lejon “diktatura” të tilla, ekziston një ndarje pushtetesh me sistemin gjyqësor që do të thotë fjalën e fundit. Një ekspert në ligjin për konkurrimet në sport, Mark Orth, deklaron se Superliga Europiane do të fitonte çdo betejë ligjore ndaj UEFA-s, FIFA-s dhe federatave, dhe po ashtu Premier Liga do të dështonte që të përjashtonte 6 klubet në Angli.

Sfidanti.al