I shtohet vlera thuajse pas çdo ndeshjeje. Nedim Bajrami vlen tani deri në 12 milionë euro, ndërsa deri nesër në mesnatë do të vendoset fati i tij. Për momentin, mesfushori i kombëtares shqiptare është tek Empoli në Serinë A, ndërsa klube edhe më të njohur e kërkojnë. Flasim për Napolin, Milanin, Lacion dhe Sasuolon, ndërsa pritet të ketë zhvillime tani në janar, ose maksimumi një akord për në verë. Napoli duket klubi që po këmbëngul më shumë, dhe madje që dëshiron përveç shqiptarit, edhe dy lojtarë të rinj të Empolit si Parizi e Viti.
“Napoli po punon edhe për të ardhmen, – shkruan “Kalçonjuz24”, – në shënjestër tre talente të Empolit”. Edhe Lacio ka pretendime serioze për shqiptarin 22-vjeçar, me Igli Taren që padyshim e njeh mirë dhe mund të ketë një avantazh duke qenë edhe ai shqiptar. Gjithsesi, emri më i shquar është Milani, veçse kuqezinjtë do të donin të prisnin deri në verë për të vendosur. Sipas mediave italiane, së pari lombardët duan të përcaktojnë fatin e Zhunior Mesiasit, e pastaj të mendojnë për Bajramin. Nëse 30-vjeçari largohet në fund të sezonit, trajneri Pioli mund të hidhej në sulm për mesfushorin kuqezi. Bajrami po zhvillon një sezon shumë të mirë me Empolin në elitën italiane, me 6 gola e 4 asistë në vetëm 21 ndeshje në Serinë A, ku ka luajtur vetëm pak më shumë se gjysmën e minutave. Në tërësi, ka 9 rrjeta në edicion në Itali.
Sfidanti.al