Gabriel Batistuta ka qenë një nga futbollistët më të mirë e më të dashur në kohën e vet. Ky magjistar argjentinas i topit për ata që e kanë ndjekur futbollin në vitet ’90, ka lënë mbresa të pashlyera. Momentet më të bukur ai ka kaluar te Fiorentina, dukë e bërë këtë klub italian të njohur në të gjithë botën. Kishte diçka magjike në lojën e tij, në mënyrën sesi ai i shënonte golat dhe sesi i festonte ato. Thjesht, atë e donin që të gjithë.
Pikërisht, për këtë arsye, të gjithë i ka hidhëruar shumë lajmi që vjen nga Argjentina dhe, sipas të cilit, ai është shumë i sëmurë. Gjendja shëndetësore e Batistutës, kohët e fundit, është keqësuar mjaft dhe, në një intervistë të fundit, ai bëri të ditur se mezi lëvizte. “Kam probleme me lëvizje të zakonshme, pasi, siç duket, futbollit unë i dhashë më shumë sesa duhej”, deklaroi Gabriel Batistuta, duke shtuar se “unë i kam dashur shumë futbollin, ndeshjet, stërvitjet e gjithçka tjetër në fushë dhe, për fat të keq, e gjithë kjo ka lënë gjurmë te shëndeti im. Dhashë më shumë sesa mund të duronte trupi im dhe, tani, po paguaj çmimin”, tha ai.
Sfidanti.al