Dirk Kajt, njeriu që i solli titullin Fejenordit mbas 18 vitesh!

Ekipi gjigant holandez, Fejenord, pas një ndërprerjeje prej 18 vitesh, u bë përsëri kampion i Holandës dhe hero i ndeshjes vendimtare kundër Heraklesit ishte veterani Dirk Kajt. Ish-ylli i Liverpulit, në këtë duel, shënoi një het-trik (tregolësh), duke e zgjidhur kështu çështjen e kampionatit holandez (Eredevise), ndërsa deklaroi, mbas ndeshjes, se, më në fund, ëndrra u bë realitet për tifozët dhe futbollistët e Fejenordit. “Më në fund, ëndrra u bë realitet, jo vetëm e imja, por e të gjithë futbollistëve, pjesëtarëve të klubit dhe të tifozëve tanë.

Pritëm sa pritëm, por fituam. 18 vite nuk janë pak, por tifozët tanë, gjithnjë, kanë qenë me neve. Për ata, futbolli është si një fe, duke qenë se ne e dimë sesa shumë duhet të pritet për këtë moment të mrekullueshëm”, tha ky lojtar veteran holandez. Duke qenë 36 vjeç dhe 296 ditë, Kajti u bë golëshënuesi më i moshuar në kampionatin holandez, menjëherë mbas Krojfit legjendar (37 vjeç dhe 11 ditë). Gjatë këtij sezoni, ky futbollist biond shënoi 15 gola në 38 ndeshje.

Sfidanti.al