Klubi kroat me më shumë trofe, Dinamo e Zagebit, hipi përsëri në fronin e vendit të vet. Ky klub iu gëzua kupës së re të kampionit, duke i kthyer vetes primatin e ekipit më të mirë në Kroaci. Kapiteni i ekipit dhe lojtari më i mirë i tij, Arian Ademi (shqiptar Maqedonie), thotë se, tani, para klubit të tyre qëndron një sfidë e re – Kupa e Kroacisë.
“Kur zhvillova seancën e parë stërvitore mbasi u ktheva nga pezullimi, premtova se ne do ta kthejmë në vitrinën tonë Kupën e kampionatit kombëtar, kurse, tani, ne do të përpiqemi që të vendosim pranë saj edhe kupën tjetër. Në radhë të parë, dua që të falënderoj tifozët tanë që na kanë mbështetur aq shumë”, tha Ademi që, në fillim të sezonit, iu bashkua Dinamos, mbasi atij iu hoq pezullimi kohëgjatë nga FIFA dhe UEFA, për shkak të përdorimit të një stimulanti të ndaluar.
Që ta fitojë Kupën e Kroacisë, Dinamo duhet të mposhtë, të mërkurën, në finalen e saj rivalin e vet të përjetshëm, Hajdukun e Splitit.