Diego Costa shqetëson Atleticon; 3 javë jashtë fushave, humbet 6 ndeshje

Diego Costa shqetëson Atletico Madrid. Sulmuesi i Los Colchoneros u dëmtua në ndeshjen me Celta Vigon dhe koha e qëndrimit të tij jashtë fushave të lojës është vlerësuar në 3 javë. Diego Costa e nisi sezonin mirë dhe dëmtimi muskular  përbën frenim për një futbollist që është në vitin e tij të fundit te Atletico Madrid. Ai do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për 3 javë dhe do të humbasë disa ndeshje.

Kështu Diego Costa nuk do të luajë në 6 ndeshjet e radhës; 3 në kampionat dhe 3 në Ligën e Kampioneve.  Në këto 3 javë Atletico nuk do të ketë shumë kohë për të pushuar me Diego Costan që nuk do të luajë ndaj Bayernit, Betisit, Salzburgut, Osasunës, Lokomotiv të Moskës dhe Cadizit. Thënë ndryshe, vështirë se Diego Costa  të kthehet në fushën e lojës përpara pauzës së radhës së ndeshjeve të kombëtareve.

Diego Costa e alternonte rolin e titullarit me Luis Suarez, por në ndeshjen me Celtan, Simeone i hodhi në fushën e lojës njëkohësisht të 2 lojtarët, një lëvizje që i dha rezultate pozitive. Tani Simeones i duhet të improvizojë një qendërsulmues të dytë, duke qenë se Suarez nuk mund të luajë të gjitha ndeshjet e të gjitha minutat.

Marcos Llorente, Joao Felix dhe Correa mund të avancojnë në pozicionin e tyre në fushën e lojës dhe të bëjnë rolin e qendërsulmuesit kur të mos jetë Luis Suarez.

Sfidanti.al