De Rosi si Maradona, Rikelme e Tevez: Nuk iki pa luajtur me Bokën!

Daniele De Rosi, pasi u detyrua të largohej nga Roma, ku ai luajti gjatë të gjithë karrierës së tij të deritanishme, nuk ka ndërmend që “t’i varë këpucët e futbollit në gozhdë”, pasi ka vendosur që, per herë të parë në jetën e tij, të luajë jashtë kufijve të Italisë, konkretisht në Argjentinë, në një nga klubetmë të mëdhenj të saj – Boka Juniors. De Rosi pranoi ofertën që i dërgoi atij nga Argjentina ish-bashkëlojtari i tij Nikolas Burdiso që tani është drejtor sportiv te Boka dhe kështu ai do të vesh bluzën e klubit të mësipërm argjentinas.

Në fakt, De Rosi, kampion bote me Italinë më 2006 në Gjermani, ka patur oferta edhe nga Fiorentina dhe Milani, por ai ka vendosur që në Itali të mos luajë me asnjë ekip tjetër, veç Romës. “Unë nuk mund ta mbyllja karrierën pa luajtur me Bokën, – janë fjalët e mesfushorit roman, – ky është klubi ku ka qenë Maradona, dhe unë edhe më parë kam treguar dashurinë që kam për Bokën”.

Në fakt, 35-vjeçari po ndjek gjurmët e disa legjendave të tjera para tij. Diego Armando Maradona u kthye në Argjentinë në moshën 33-vjeçare, duke luajtur për Njuell’s Old Bojs, Huan Roman Rikelme u largua nga Europa për në Argjentinë, duke zgjedhur Bokën në moshën 29-vjeçare, David Trezege, kampion bote me Francën, la Juventusin dhe shkoi tek River Plejti në 2011, ndërsa Karlos Tevez e Dani Osvaldo po ashtu janë kthyer tek Boka, përpara “pensionit”.

Sfidanti.al