De Bur: Fëmijtë e Ajaksit më kuptonin më mirë sesa yjet e Interit?!

Ish-trajneri i Interit Frank De Bur thotë se lojtarët e Interit as që e merrnin mundimin ta kuptonin filosofinë e tij, ndërsa secili prej tyre bënte atë që i pëlqente, kështu që kjo ishte arsyeja se përse ai nuk mund të vinte rregull në ekipin interist. “Tek Interi kishte shumë probleme dhe unë nuk kisha problem vetëm mosmarrëveshjet me karakter gjuhësor. Pavarësisht nga përpjekjet e mia, unë nuk mund të vija rregull në ekip dhe nuk mund t’ua transmetoja idetë e mia futbollistëve.

Nuk ishte faji im, pasi në këtë ekip mbizotëronte një kaos i vërtetë, çdo lojtar bënte sipas qejfit. Në stërvitje, ata nuk i pranonin metodat e mia dhe nuk i kuptonin synimet e mia, shkurt, nuk donin të më dëgjonin. Madje, edhe fëmijtë e Ajaksit e kuptonin më mirë filosofinë time sesa ‘yjet’ e Interit’”, vë në dukje De Buri.

Ky trajner u soll si zëvendësues i Roberto Mançinit që e la “timonin” e zikaltërve, menjëherë, para fillimit të sezonin 2016/17, por në krye të stafit të trajnerëve të Interit De Buri qëndroi vetëm disa muaj, para se të shkarkohej për rezultate të dobta.

Sfidanti.al