Kriza te Chelsea po thellohet, ndërsa mesfushori argjentinas Enzo Fernández është në qendër të polemikave pas deklaratave dhe sjelljes së tij ndaj skuadrës. Sipas mediave ndërkombëtare, Fernández ka shkaktuar pakënaqësi në dhomat e zhveshjes, duke kritikuar indirekt situatën te klubi dhe duke lënë të kuptohet se mund të largohet në verë. Komentet e tij për një të ardhme të mundshme jashtë Londrës, madje edhe dëshira për të jetuar në Madrid, nuk janë pritur mirë nga shokët e ekipit.
Tensioni është rritur edhe më shumë pas eliminimit të rëndë nga Paris Saint-Germain në Champions League, ku mesfushori shfaqi hapur zhgënjimin për situatën sportive dhe menaxhimin e klubit. Brenda skuadrës, disa lojtarë janë shprehur të pakënaqur me qëndrimin e tij, duke e konsideruar të papërshtatshëm për një lider, sidomos në një moment të vështirë për ekipin. Madje raportimet flasin edhe për incidente gjatë ndeshjeve dhe debate me shokët e skuadrës. Ndërkohë, edhe kritikat ndaj drejtimit të klubit dhe vendimeve si largimi i trajnerit kanë shtuar përçarjen, duke krijuar një atmosferë të tensionuar në “Stamford Bridge”. E ardhmja e Fernández te Chelsea mbetet e paqartë, ndërsa vera pritet të jetë vendimtare si për lojtarin, ashtu edhe për projektin e klubit londinez.
sfidanti.al

