Para një jave ishte një shpërthim i vërtetë. Myrto Uzuni u bë histori jo vetëm në Hungari, por në gjithë Europën, pasi shënoi 3 gola në një ndeshje të vetme të Championsit. Pak ditë pas shkëlqimit në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, sulmuesi i kombëtares shqiptare synon të përsërisë veten sonte në ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve. Ferencvaroshi hungarez pret në shtëpi kampionen e Lituanisë, Zhalgiris të Kaunasit, një rival që teorikisht duhet të kalohet, veçse kjo duhet të demonstrohet në fushë.
Uzuni pritet ta ruajë rolin e tij në krahun e majtë të sulmit të hungarezëve dhe trajneri gjerman, Shtëger, ka besim të madh tek 26-vjeçari beratas. Me 3 gola, ai është një nga lojtarët më të mirë të Championsit këtë sezon, dhe Ferencvaroshi është i lumtur edhe përsa i përket vlerës së kartonit. Olimpiakosi i Pireut u interesua disa muaj më parë për Uzunin, por deri tani nuk ka pasur akord pasi hungarezët kërkuan 5 milionë euro, ndërsa vlerësimi në transfermarkt është deri në 3 milionë. Nëse sulmuesi kuqezi vazhdon me këtë formë, atëherë vlera e kërkuar nga klubi i Budapestit nuk do të duket shumë e lartë. Uzuni pati një fazë shumë të mirë përgatitore, përpara Championsit, duke shënuar gola për ekipin e tij, ndërsa ëndrra e të gjithëve është që të përsëritet sezoni i kaluar, kur u arrit faza e grupeve, një kulm që nuk arrihej për 25 vjet.
Sfidanti.al