Ishte një intervistë “në të gjithë fushën” ajo e Karl-Hajnc Rumeniges për revistën “Kiker”, dhe shefi ekzekutiv i Bajernit, i preku të gjitha temat. Gjithsesi, për tifozët kishin interes planet e bavarezëve për të forcuar skuadrën. “Ne transferuam Dagllas Kostën, Sebastian Rudin dhe Huan Bernatin, – u shpreh Rumenige, – ne i kemi paratë për të bërë një blerje të madhe, dhe nëse do ta shohim të nevojshme, do ta bëjmë”.
Tifozët nuk duhet të kenë mbetur shumë të kënaqur me fjalët e “Kalles”, pasi kjo do të thotë se duhet pritur deri verën e ardhshme. Në janar, zakonisht nuk bëhen blerje të mëdha.
Bajerni, sidoqoftë, nuk e ka këtë filozofi. Siç thotë edhe presidenti Uli Hënes, “edhe nëse do të kishim 500 milionë euro në bankë, nuk do të kishim shpenzuar 200 milionë euro për një lojtar, pasi kjo nuk ka kuptim, nëse do të kishim shpenzuar 400 milionë euro për lojtarët, askush në Europë nuk do të na kishte dalë përpara”.
Sfidanti.al