Presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, u zemërua shumë, për shkak të vendimit të gjyqtarit anglez, Majkëll Oliver, që, në minutat e fundit të ndeshjes mes Realit të Madridit dhe Juves, dha penallti në favor të ekipit spanjoll dhe realizimi i së cilës nga Kristiano Ronaldo solli eliminimin e Juventusit nga Champions-i. Ai e sulmoi direkt bashkatdhetarin e tij, Pierluixhi Kolinën, kryegjyqtar i UEFA-s, duke i bërë atij publikisht pyetjen se deri kur ai do të vazhdojë t’i shkatërrojë shanset e klubeve italiane në konkurrimet evropiane?
Kolina, në fakt, është përgjegjeës për caktimin e gjyqtarëve në ndeshjet e konkurrimeve evropiane, ndërkohë që Anjeli ka vërejtje serioze për punën e tij.
“Ne jemi dëshmitarë të situatave të shumta të pakëndshme në ndeshjet e klubeve italiane, faulli ndaj Kuardados dhe penalltia e Arsenalit kundër Milanit, ndërsa ajo që ndodhi në ndeshjen e fundit mes Realit dhe Juventusit, ishte kulmi. Të gjitha këto tregojnë se është absolutisht i nevojshëm sistemi VAR (Video Ndihmës Gjyqtari) në Ligën e Kampioneve. Sidoqoftë, unë një gjë nuk mund ta kuptoj se, për çfarë arsyeje, njeriu që cakton gjyqtarët e ndeshjeve evropiane, me një ngulm të paparë cakton kundër nesh gjyqtarë që janë kundër klubeve italiane. Dhe, ai (Kolina) është italian. Nuk është fjala vetëm për Juven, penallti nuk u dha as për Romën kundër Barcelonës, ndërsa qesharake ishte edhe situata në ndeshjen mes Arsenalit dhe Milanit”, deklaroi Anjeli.
Sfidanti.al