Zhoze Murinjo ishte i detyruar që ta pranonte humbjen 0-1 të Mançester Junajtidit të tij ndaj Juventusit që fitoi me meritë në “Old Trafford” me gol të shënuar nga Paula Dinala në kuadrin e Ligës së Kampioneve (LK). Sidoqoftë, Junajtidi la shumë për të dëshiruar me lojën e tij, duke mos krijuar ndonjë rast rast të pastër para portës kundërshtare. Trajneri i “djajve të kuq”, Murinjo, me këtë rast, nuk i kurseu lavdërimet në adresë të mbrojtjes juventine me në krye tandemin Kielini-Bonuçi.
“Ne luajtëm kundër njërit prej ekipeve që është kandidat që ta fitojë kupën e Ligës së Kampioneve. Në pjesën e parë, Juvja e zotëroi shumë më tepër sesa ne topin. Ne u përpoqëm që të jepnim gjithçka nga vetja, por kundërshtarët luajtën më mirë, sidomos në mbrojtje. Bonuçi dhe Kielini janë dy mbrojtës fantastikë, ata mund të krijojnë një katedër në Universitetin e Harvardit dhe të japin leksione atje sesi duhet të organizohet mbrojtja në futboll. Ne kemi problemet tona. Unë isha i detyruar që të luaja po me atë 11-tshe, me të cilën e fillova ndeshjen kundër Çelsit. Nuk e kisha Felainin si alternativë”, deklaroi Murinjo para medias italiane.
Junajtidi nuk ka arritur të fitojë në tri ndeshjet e fundit evropiane në “Old Trafford”, ku më parë Sevilja e mundi atë 1-2 në 1/8 e finaleve të sezonit të kaluar të LK-së, kurse me Valencian barazoi 0-0 para tri javësh.
Sfidanti.al